Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën Çeke me ftesë të Presidentit Petr Pavel. Kreu i Shtetit u prit në një ceremoni solemne në Pragë.
Fillimisht, Presidenti Begaj zhvilloi takimin kokë më kokë më homologun Pavel dhe pas takimit me praninë e delegacioneve përkatëse u mbajt konferenca e përbashkët për mediat.
Integrimi i Shqipërisë në BE, mbështetja e Republikës Çeke në këtë proces, thellimi i bashkëpunimit ekonomik e kulturor, çështje të sigurisë evropiane dhe Euroatlantike ishin në fokus të këtyre takimeve.
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE ishte fokusi i bisedës mes dy Presidentëve. Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Republikës Çeke gjatë dy Presidencave të saj në Bashkimin Evropian në vitin 2009 dhe në vitin 2022.
Presidenti Begaj theksoi momentin kyç të aplikimit të Shqipërisë për në BE gjatë Presidencës së parë, si dhe arritjet shenjuese për integrimin gjatë Presidencës së dytë të Republikës Çeke në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj falënderoi Presidentin çek për mbështetjen që Çekia ka bërë Kosovës, duke vlerësuar edhe faktin që për herë të parë një Ambasador i Republikës së Kosovës paraqiti Letrat Kredenciale te Presidenti Pavel.




