Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, Avokati i Popullit riafirmon angazhimin e tij të palëkundur për mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e të drejtave të çdo fëmije, pa dallim.
“ Kjo ditë na kujton se çdo fëmijë , kudo në botë, meriton dashuri, siguri, arsim cilësor dhe mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tij të plotë.
Kur janë fëmijët në pyetje përgjegjësia është e përbashkët e komunitetit, institucioneve, familjeve dhe shoqërisë për të krijuar një mjedis ku fëmijët rriten të mbrojtur, të vlerësuar dhe të dëgjuar.
Çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë i sigurt, i mbrojtur nga dhuna, abuzimi, keqtrajtimi dhe çdo formë diskriminimi. Çdo vendimmarrje dhe politikë duhet të ketë në qendër interesin më të lartë të fëmijës.”thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit mbetet i përkushtuar të monitorojë zbatimin e të drejtave të fëmijëve, të identifikojë mangësitë dhe të kërkojë nga autoritetet përgjegjëse që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përmirësimin e situatës. Të drejtat e fëmijëve nuk janë çështje simbolike – ato janë detyrim që kërkon veprim të vazhdueshëm.
Tutje Avokati i Popullit uron që çdo fëmijë të gëzojë fëmijëri të sigurt, të drejtë dhe të lumtur, shënojmë sot Ditën Botërore të Fëmijëve duke ritheksuar se mbrojtja e tyre është investimi më i vlefshëm për të ardhmen e shoqërisë.




