Lëvizja FOL ka shprehur shqetësim pas monitorimit të mbledhjes së sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, gjatë së cilës u vendos për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Sipas tyre, propozimi për shkarkimin e Kelmendit, i paraqitur nga zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, u shtua në rend dite pa paralajmërim dhe pa qenë pjesë e agjendës zyrtare dhe si rezultat, pesë anëtarë të Këshillit u larguan nga mbledhja, duke bërë që të humbej kuorumi ligjor.
FOL vlerëson se ky veprim cenon rëndë integritetin e sistemit prokurorial dhe dëmton besimin e publikut në institucionet e drejtësisë, andaj kërkon që KPK të zbatojë pa përjashtim standardet ligjore dhe procedurale, duke siguruar integritet dhe transparencë të plotë në funksionimin e sistemit prokurorial.




