Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka reaguar lidhur me gjuhën e përdorur nga Albulena Haxhiut, pas dështimit të formimit të qeverisë Konjufca 1.
Gucati përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka theksuar se në Partinë Demokratike të Kosovës ka deputetë që ‘’ që kanë lënë gjymtyrët për lirinë e këtij vendi’’.
Kryetari i OVL-UÇK-së ka deklaruar edhe se, tallja me sakrificën e njerëzve që kanë dhënë trupin dhe jetën për liri, nuk është politikë.
‘’Albulena, a nuk të vjen turp ta përdorësh këtë gjuhë?
Në PDK ka deputetë që kanë lënë gjymtyrët për lirinë e këtij vendi. Ka komandantë të respektuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka bij e bija familjesh të dëshmorëve. Të gjithë këta njerëz meritojnë respekt, jo fyerje të tilla të ulëta politike.
Debati politik është i lejuar, por tallja me sakrificën e njerëzve që kanë dhënë trupin dhe jetën për liri, nuk është politikë. Është mungesë karakteri’’, ka shkruar Gucati.




