Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në darkën joformale ministrore BE-Ballkan Perëndimor.
Ai falënderoi Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas për ftesën dhe Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, gjersa përgjatë takimit zëvendëskryeministri pati mundësinë për t’iu adresuar të pranishmëve.
Zëvendëskryeministri theksoi rrezikun që shfaqin për demokracinë dhe zhvillimin kërcënimet e sigurisë dhe sulmet e vazhdueshme hibride dhe rëndësinë e unitetit në përballjen ndaj tyre.
Në vijim, ai uroi Shqipërinë dhe Malin e Zi në avancimin e rrugëtimit të integrimit evropian dhe hapjes së kapitujve drejt anëtarësimit në BE, si dhe përkushtimit të Ukrainës dhe Moldavisë ndaj integrimit në unionin evropian. Shtoi se Kosova ka mbështetur dhe vazhdon të përkrahë Ukrainën në luftën e tyre kundër agresionit rus.
Zëvendëskryeministri tha se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, gjersa vendi ynë gëzon dhe mbështetje të fuqishme qytetare ndaj integrimit.




