Në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës organizoi “Ditën e Hapur” në Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës.
Gjatë kësaj dite, vizitorët patën mundësinë të njihen nga afër me ambientet dhe punën e kësaj qendre, përfshirë Qendrën e Vlerësimit të të Burgosurve, ku u informuan për proceset dhe rutinat e përditshme nga pranimi, sistemimi, vlerësimi e deri te lirimi i të paraburgosurve. Më pas, u realizua edhe vizita në një nga dhomat e paraburgimit, ku u ofrua një pasqyrë më e qartë e kushteve dhe funksionimit të brendshëm të institucionit.

Aktivitetet vazhduan në Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan, ku vizitorët patën mundësinë të shohin nga afër hapësirat e kësaj qendre dhe punëtoritë funksionale, si ato të dizajnit, IT-së, rrobaqepësisë dhe floktarisë. Më tej, vizita u zhvendos në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, ku u organizua një ekspozim i punimeve të filigranit dhe pikturave të realizuara nga të burgosurat. Atmosfera u pasurua edhe me pjesë artistike, me këngë dhe valle të interpretuara nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”.
Këto aktivitete synojnë të theksojnë transparencën, edukimin dhe rëndësinë e rehabilitimit brenda institucioneve korrektuese, duke reflektuar përkushtimin e SHKK-së në ofrimin e kushteve dhe programeve që mbështesin riintegrimin e personave të privuar nga liria.





