Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online tha se mungesa e investimeve kapitale gjatë vitit 2025 ka krijuar vështirësi për bizneset dhe ka penguar rritjen ekonomike të vendit, duke ndikuar në klimën e investimeve dhe interesin e investitorëve të huaj.
Ai theksoi se kriza politike dhe vonesat në formimin e qeverisë së re kanë dëmtuar gjithashtu imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe mund të ndikojnë në aftësinë e vendit për të përfituar fonde dhe mbështetje ndërkombëtare.
Ai tha se ndikimi i krizës politike është i matshëm dhe lidhet me mosarritjen e normës së parashikuar për rritjen ekonomike.
Zeka gjithashtu theksoi se imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare po dëmtohet nga lajmet negative për situatën politike dhe për vonesat që ishin në konstituimin e institucioneve.




