Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, ka realizuar një vizitë zyrtare në Berlin, ku u takua me deputetin e Bundestagut nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, për të diskutuar çështje të rëndësishme lidhur me integrimin evropian të Kosovës dhe progresin e arritur në këtë proces në katër vitet e fundit.
Bislimi theksoi arritjet e Kosovës gjatë periudhës së qeverisjes së tanishme, duke përmendur përpjekjet për rritjen e punësimit, përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave, dhe avancimin e zbatimit të agjendës së reformave evropiane.
Ai nënvizoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i bërë në vitin 2022, ka qenë një hap i rëndësishëm për vendin dhe është mbështetur nga raporti pozitiv që ka dëshmuar progresin e Kosovës në implementimin e reformave dhe angazhimet për përmbushjen e kushteve të kërkuara nga BE.
Në fund të takimit, Bislimi e falënderoi deputetin Abraham për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe rrugëtimit të saj evropian.




