Punëtorët e Trafikut Urban dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kanë mbajtur një takim për çështjen e pezullimit të punës për shkak të mosndarjes së mjeteve për Komunën e Prishtinës.
Pas kësaj mbledhje, Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, tha se edhe pas “lutjeve” që i kishin bërë në gjuhën politike dhe popullore, ministri ka përsëritur që Ministria e Financave nuk ka mundësi ligjore të ndajë mjete shtesë për Komunën e Prishtinës, ndërsa i ka orientuar sindikalistët të kërkojnë zgjidhje nga komuna.
Ai thotë se greva vazhdon nesër dhe mundet të përshkallëzohet në forma të ndryshme ndërsa ju kërkojnë ndjesë qytetarëve të Prishtinës, pasi që, sipas tij, nuk kanë mjete të fillojnë punën.




