Shtëpia e Bardhë ka thënë se bisedimet në Gjenevë me Kievin shënuan “përparim domethënës” drejt përfundimit të luftës në Ukrainë dhe kanë rezultuar me një kornizë “të përditësuar dhe ridefinuar” që parasheh sovranitetin e plotë të Ukrainës dhe arritjen e paqes.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e ka udhëhequr delegacionin amerikan në bisedimet e 23 nëntorit me zyrtarët ukrainas në Gjenevë, teksa Washingtoni e ka rritur presionin ndaj Kievit për të pranuar shpejt planin amerikan.
Trump është shprehur i zemëruar me Ukrainën dhe aleatët evropianë që e kanë kundërshtuar propozimin fillestar.
Shefi i delegacionit ukrainas Andriy Yermak, shefi i stafit të presidentit Volodymyr Zelensky, u ka thënë gazetarëve se negociatat kanë shënuar përparim në Gjenevë dhe që po shkohet përpara drejt arritjes së paqes afatgjatë të cilën populli ukrainas e meriton.




