Ka ndërruar jetë Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas, kështu kanë bërë të ditur familjarët e tij.
Përmes një reagimi, Fatlum Nika shkroi se Behari ndërroi jetë sot dhe se largimi i tij është dhimbje e thellë, sepse me të shuhet edhe një zë i gjallë i dëshmitarëve të masakrës së Shavarinës.
Njoftimi:
…”Njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Shavarinës ishte edhe Behar Topilla nga Gllanasella. “Sole Survivor”, ose në shqip “I mbijetuari i vetëm”, ishte titulli i gazetës “The Salt Lake Tribune”, e cila tregonte historinë e shpëtimit të tij nga masakra, edhe pse ishte plagosur dhe kishte mbetur nën grumbullin me mbi 40 kufoma.”
Kështu e kisha përshkruar mbijetesën e Behar Topillës nëpërmjet gazetës “The Salt Lake Tribune” në temën time të diplomës, konkretisht masakrën e Shavarinës të kryer më 1 maj të vitit 1999, në Gllanasellë.
Behari sot ndërroi jetë. Largimi i tij dhemb thellë, sepse bashkë me të shuhet një zë i gjallë i dëshmisë së masakrës së Shavarinës. Historia e tij do të jetojë përgjithmonë, vuajtja që ai e mbajti në shpirt janë pjesë e kujtesës sonë kolektive.




