Është mbajtur takimi i radhës i Grupit Punues përgjegjës për funksionalitetet e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), i kryesuar nga z. Admir Shala, si dhe me pjesëmarrje të anëtarëve, z. Burim Çerkini, znj. Sebahate Sinani, z. Eset Rama, si dhe udhëheqësi dhe zyrtarët e Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në kuadër të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Gjatë takimit është shqyrtuar analiza e detajuar e procesimit dhe qarkullimit të lëndëve përbrenda SMIL-it, me fokus të veçantë në identifikimin e sfidave operacionale dhe teknike, që ndikojnë në administrimin e lëndëve, harmonizimin e procedurave të punës ndërmjet prokurorive dhe njësive mbështetëse, si dhe përcaktimin e veprimeve konkrete dhe afateve implementuese që do të mundësojnë avancimin e mëtejmë të funksionaliteteve të sistemit.
Pjesëmarrësit diskutuan dhe adresuan edhe çështje të tjera që ndërlidhen me integritetin e të dhënave, standardizimin e proceseve të punës, si dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin dhe evidentimin e lëndëve.
Në përmbyllje, u tha se nga diskutimet e sotme të anëtarëve dolën rekomandime të qarta dhe të zbatueshme, të cilat synojnë fuqizimin e proceseve të punës dhe përmirësimin e performancës së përgjithshme në fushën e menaxhimit të lëndëve, me qëllim që të sigurohet funksionalitet më i lartë, transparencë institucionale dhe rritje e llogaridhënies në sistemin prokurorial.




