Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të qëndrueshme dhe nënvizoi rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ai këto deklarata i bëri gjatë Samiti të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe çmontim i normave demokratike”.
Orav gjatë këtij samiti tha se dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit dhe angazhimit qytetar.
Ai theksoi se hapësira informative e Kosovës mbetet e cenueshme ndaj manipulimit dhe ndikimit të jashtëm, ndërsa qytetarët janë të ekspozuar ndaj dezinformimit për shkak të mungesës së edukimit medial sistematik.




