Zyrtarët policorë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në kuadër të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz në Kosovë dhe Planit të Veprimit për zbatimin e saj, gjatë periudhës 18.10.2025 – 18.11.2025, si pjesë e fushatës sensibilizuese për “Parandalimin e trafikimit me njerëz”, kanë realizuar ligjërata edukative dhe sensibilizuese në shkolla fillore dhe të mesme. Qëllimi I ligjëratave ishte edukimi i nxënësve mbi fenomenin e trafikimit të njerëzve dhe shfrytëzimin seksual si dhe zbulimin e hershëm dhe referimin e rasteve të trafikimit me njerëz.
Ligjëratat u zhvilluan nëpër të gjitha rajonet e Kosovës, në 49 shkolla fillore dhe të mesme, ku morën pjesë rreth 1585 nxënës të moshave të ndryshme bashkë me profesorët e tyre.
Po ashtu, në kuadër të strategjisë dhe në bashkëpunim me koordinatorët e prokurorive themelore, drejtoritë komunale të arsimit, mbrojtësin e viktimave, QPS-në, Shërbimin Sprovues si dhe organizatat joqeveritare, janë mbajtur ligjërata edhe me profesorët e shkollave fillore dhe të mesme të Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit, me qëllim të identifikimit dhe referimit të rasteve të trafikimit me njerëz.





