Në kuadër të Samitit të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë që po mbahet në Prishtinë, Paneli i parë trajtoi temën “Etno-politika e ringarkuar: radikalizimi, siguria dhe e ardhmja rajonale”, duke shqyrtuar sfidat e sigurisë dhe ndikimin e rritjes së nacionalizmit dhe radikalizimit etno-politik në Ballkanin Perëndimor.
Panelistët diskutuan mbi kërcënimet që mund të cenojnë vite përparimi të brishtë dhe mbi mundësitë për ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit rajonal në një mjedis gjithnjë e më përçarës.
Agon Maliqi, këshilltar i lartë jo-resident në Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik, theksoi mungesën e vizionit të të rinjve për të ardhmen dhe ndikimin e diskursit të sigurisë në klimën politike.
Ai gjithashtu vuri në pah se fokusi i tepërt tek siguria ka shtypur zërat kritikë dhe ka penguar entuziazmin për zgjerimin evropian.
Dr. Bojana Zorić, analiste politike për Ballkanin Perëndimor dhe Rajonin Lindor pranë Institutit Evropian për Studime të Sigurisë, theksoi rolin e procesit të zgjerimit dhe ndikimin e kontekstit gjeopolitik global, ndërkaq Bojan Elek, gazetar dhe analist politik, foli për rolin e Serbisë dhe ndikimin e saj në stabilitetin rajonal.




