Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se do të ndahen mjete për RTK-në, mjete që, sipas tij, vijnë nga kategoria e kursimeve.
Lidhur me këtë ka reaguar ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila e ka quajtur vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve për pagat e punëtorëve të RTK-së si të vonuar dhe të inskenuar nga vetë ekzekutivi.
Ajo ka thënë se punëtorët e RTK-së u lanë pa paga për një muaj të tërë, duke u detyruar të hyjnë në protesta e greva, ndërsa në fund – sipas saj – Qeveria po paraqitet si shpëtimtare.
Bajrami ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për, siç tha, krijim artificial të krizave me qëllim që të shfaqet më pas si shpëtimtar.





