Delegacioni i Doganës së Kosovës po merr pjesë në takimin e 12-të të Grupit Punues për Pajtueshmëri të të Ardhurave dhe Mashtrim (WGRCF), një forum i rëndësishëm i Organizatës Botërore të Doganave (WCO) që synon forcimin e përpjekjeve globale kundër humbjeve të të ardhurave, mashtrimeve, tregtisë së paligjshme dhe pastrimit të parave. Ky takim shërben si një platformë thelbësore për shkëmbimin e praktikave të mira, koordinimin e operacioneve të përbashkëta dhe avancimin e qasjeve moderne dhe të bazuara në të dhëna për menaxhimin e rrezikut, zbatimin efikas dhe identifikimin e aktivitetve financiare të dyshimta.
Me pjesëmarrjen në WGRCF, Dogana e Kosovës riafirmon përkushtimin ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar, forcimit të integritetit të sistemit doganor dhe mbrojtjes së të ardhurave publike, si dhe në parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave.
Ne mbetemi të vendosur të kontribuojmë në mënyrë aktive përmes transparencës, profesionalizmit dhe bashkërendimit me vendet anëtare të WCO-së, duke synuar tregti të sigurt, të drejtë dhe në përputhje me objektivat e përbashkëta të komunitetit global doganor.




