Forca e Sigurisë së Kosovës ka kremtuar 27 Nëntorin – “Ditën e Forcës”, ku qytetarët janë njohur me misionin, kapacitetet, aftësitë dhe profesionalizmin e FSK-së.

Me këtë rast, kazermat e FSK-së në Prishtinë, Istog, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe Pomozotin hapën dyert për qytetarët, duke u ofruar mundësinë të shohin nga afër pajisjet, mjetet dhe funksionimin e njësive ushtarake.
Aktiviteti kryesor u mbajt në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ishin të pranishëm krerët e shtetit të cilët u pritën nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Ministri i Mbrojtjes z. Ejup Maqedonci.
Ngjarja u ndoq edhe nga mësues, nxënës dhe shumë qytetarë, të cilëve iu prezantuan aftësitë profesionale dhe demonstrimet e njësive të ndryshme të FSK-së.

Gjeneral Jashari në emër të FSK-së, u shprehu mirënjohje të gjithë qytetarëve për pjesëmarrjen dhe interesimin e treguar në këtë ditë të veçantë të FSK-së.





