Kur kanë mbetur edhe tre muaj deri në fund të mandatit fillestar të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas ka propozuar që ai të vazhdojë në këtë detyrë. Por, opinionistë vlerësojnë se nëntë muaj e gjysmë të parë të mandatit të Sorensen ishin të dështuara, por jo-domosdo për fajin e tij.
Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka propozuar zgjatjen mandatit të Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Propozimi i Kallas u diskutua javë më parë, në disa trupa të Këshillit Evropian: në Komitetin për Punë të Jashtme dhe Siguri, dhe paraprakisht në Grupin Punues të Këshilltarëve për Punë të Jashtme dhe atë për Ballkanin Perëndimor.
Pa dhënë detaje, në një përgjigje për TV Dukagjinin, Shërbimi i Jashtëm i BE-së konfirmoi përkrahjen për vazhdimin e punës nga diplomati danez.




