Zjarrfikësit gjetën dhe nxorrën dhjetëra trupa të tjerë të premten në mëngjes gjatë kërkimit në një kompleks pallatesh në Hong Kong, ku një zjarr masiv shkatërroi shtatë ndërtesa. Policia arrestoi tetë persona të përfshirë në rinovimin e këtyre pallateve.
Zjarri ndodhi në kompleksin Wang Fuk Court, që strehon mijëra banorë në distriktin Tai Po, pranë kufirit me Kinën kontinentale.
Sipas Associated Press, numri i viktimave ka arritur 128, ndërsa rreth 200 persona mbeten të zhdukur. Nga këta, 89 trupa ende nuk janë identifikuar.
Autoritetet paralajmërojnë se mund të gjenden trupa të tjerë, megjithëse disa ekipe zjarrfikësish kanë përfunduar kërkimin për banorët që mund të ishin bllokuar brenda ndërtesave. 12 zjarrfikës janë mes 79 të plagosurve, ndërsa një zjarrfikës ka humbur jetën.




