Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që emisarit evropian për dialog, Peter Sorensen, t’i vazhdohet mandati, në përputhje me rekomandimin e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.
Mandati i tij i parë ishte 13-mujor dhe skadon në fund të muajit shkurt, ndërsa pranohet se nuk ka pasur shumë lëvizje në proces, përveç disa takimeve në nivel të kryenegociatorëve, megjithatë, mungesa e progresit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve u atribuohet kryesisht zhvillimeve të brendshme politike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Bashkimi Evropian vazhdon të insistojë se progresi në rrugën evropiane, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, varet drejtpërdrejt nga avancimi në procesin e dialogut.
Në takimin e dhjetorit të ministrave evropianë, pritet t’u rikujtohet palëve se, në mungesë të përparimit në normalizimin e marrëdhënieve, ato rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.




