Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas zërave për përfshirjen e tij në listë për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit për çka tha se të jesh në listë nuk është as favor e as privilegj personal por përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim.
Ai teksa thotë se LDK është shtëpia e përbashkët, thekson se është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite.
Veliu thotë se pavarësisht debateve të ditëve të fundit, ai mbetet i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm të jep kontributin e tij dhe të jetë besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet, ndërsa falënderon për vlerësimin, mbështetjen dhe besimin që i japin atij.





