Janë bërë dy vjet prej vrasjes së Liridona Ademajt që ndodhi në sy të fëmijëve të saj e me porosinë e bashkëshortit të saj Naim Murseli për të cilin tashmë ka edhe një aktakuzë e po gjykohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në këtë përvjetor e ndjera është kujtuar nga vëllai i saj Leonard Ademaj, i cili thotë se malli për të shtohet çdo ditë e nuk mund të pajtohet me faktin që më nuk është në mesin e tyre, duke theksuar se mungesa e saj vërehet në çdo kohë.
Teksa shkruan për mungesën e saj, Leonard Ademaj thotë se do të luftojnë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi, duke shtuar se vitet po ecin e akoma po përballen me kriminelët që padrejtësisht ia morën jetën.





