Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se Bashkimi Evropian do ta vonojë heqjen e masave ndaj Kosovën edhe pas transferimit të kryetarëve serbë në komunat në veri.
Sipas tyre, BE-ja mund t’i përdorë këto masa edhe për kërkesa të tjera ndaj Kosovës.
Në premten e 5 dhjetorit Kosova mund të përmbushë kushtin kryesor të Bashkimit Evropian për heqje të masave, e që është evidentuar edhe në draftin e konkluzioneve për zgjerim.
Këtë ditë është planifikuar që kryetarët e rinj serbë të komunave të veriut, t’i marrin mandatet.Por, njohës të çështjeve politike shprehen skeptikë se heqja e masave do të ndodhë menjëherë pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal në veri.
Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se heqja e këtyre masave të BE-së, mund të ndodhë tek pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për të mos u përdorur politikisht nga asnjëra palë në Kosovë.
Heqje të plotë e të menjëhershme të tyre nuk pret as njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, i cili thotë se BE-ja e ka përdorur vazhdimisht si mjet shantazhi heqjen e masave.




