Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, ka paralajmëruar se tendencat për manipulimin e zgjedhjeve në Kosovë, veçanërisht nga Serbia, janë bërë të dukshme dhe paraqesin një rrezik serioz për proceset demokratike në vend.
Ai ka theksuar se Serbia vazhdon të ketë mekanizma të fuqishëm për të kontrolluar votën e serbëve të Kosovës, pasi që sipas tij, komuniteti serb në veri të vendit vazhdon të jetë nën presion të madh politik dhe social, çka pengon pluralizmin dhe pjesëmarrjen e tyre të lirë në zgjedhje.
Vrajolli ka folur edhe për dezinformimin ku ka thënë se rrezikon demokracinë në Kosovë.
Sipas tij, dezinformimi në rrjetet sociale është shndërruar në një mjet të fuqishëm që po përdoret në masë nga akterë të ndryshëm politikë e për luftimin e tij ai vlerëson se mungon vullneti politik për ta adresuar seriozisht.




