Edhe pak orë kanë mbetur deri në përmbyllje të afatit kur subjektet politike do të mund të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sikurse edhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri sot në orën 14:00, dymbëdhjetë parti politike kanë plotësuar formularin e certikimit për pjesëmarrje në zgjedhje.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për RTKlive se cilat parti kanë deklaruar pjesëmarrjen e tyre në garën e parakohshme zgjedhore të 28 dhjetorit.
Ndërkohë numri i koalicioneve ende mbetet i njëjtë. Deri tash në KQZ janë regjistruar vetëm dy koalicione parazgjedhore, ai i tri partive të ashkalinjëve PAI, PDAK e LPB, si dhe koalicioni i partive boshnjake, Vakat.
Po ashtu, më 30 nëntor përfundon afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.
Ndërkohë, Elezi ka rikujtuar se afati për dorëzimin e listës së kandidatëve të subjekteve politike i nisur më 24 nëntor do të zgjasë deri më 7 dhjetor.




