Ambasadorja e Kosovës në Norvegji, Nita Luci, është parë në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Oslo, ku mori pjesë edhe kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti.
Tubimi vjen në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit. Kurti ka zgjedhur të kërkojë votën e diasporës në Norvegji, një nga vendet e para që ka targetuar.
Në opinionin publik ka pasur shumë reagime për pjesëmarrjen e ambasadores së Kosovës në Norvegji në një tubim partiaj.
Kjo pasi qartazi bie ndesh me ligjin, sipas nenit 32, Pika 1.5, e Ligjit për Shërbyesit e Jashtëm. Ky ligj ia ndalon rreptësisht asaj çfarëdo pjesëmarrje në aktivitete partiake “gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm”.
Për pjesëmarrjen e saj ka pasur reagime, Vlora Çitkau nga PDK-ja ka thënë se ambasadat janë të Kosovës, jo të partive politike.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje po përdor resurset shtetërore për qëllime elektorale.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht pretendon një monopol të votës së diasporës, ndonëse në zgjedhjet e fundit nuk doli si partia e parë.




