Bashkimi Evropian po përgatit sanksione të reja kundër Qeverisë së presidentit bjellorus Aleksandar Lukashenko, të cilën e akuzon për një fushatë “hibride” kundër Lituanisë fqinje, tha të hënën shefja e BE-së, Ursula von der Leyen.
Lituania e mbylli kufirin me Bjellorusinë në tetor pasi dhjetëra balona të ngarkuara me cigare të paligjshme hynë në hapësirën e saj ajrore, duke detyruar disa aeroporte të mbyllen dhe duke nxitur tensione mes dy vendeve.
Mbyllja e kufirit në tetor la mijëra kamionë lituanë të bllokuar në Bjellorusi. Disa prej tyre ende ndodhen atje të ngecur, dhe Vilniusi e ka akuzuar Minskun për “shantazh” lidhur me miliona euro mallra të mbetura.
Ndërkohë, shërbimi diplomatik i BE-së tha se e ka thirrur të hënën të dërguarin e Bjellorusisë në takim për shkak të “veprimeve hibride që burojnë nga territori bjellorus dhe që përbëjnë një kërcënim për BE-në”, përfshirë edhe “çështjen e papranueshme” të kamionëve të bllokuar.




