Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave në lidhje me rastin e laboratorit të drogës të zbuluar në prill të këtij viti.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë shfrytëzuar dy banesa në katin e shtatë të një ndërtese duke krijuar një laborator të sofistikuar “in door” për kultivimin e bimës “kanabis sativa”.
Laboratori sipas Prokurorisë ishte i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperaturash dhe pajisje mbështetëse, ku të njëjtit kanë kultivuar dhe rritur 175 bimë “kanabis sativa”.
K.R., dhe L.B., akuzohen se deri më 07.05.2025 kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit “marihuanë” dhe “kokainë” në Prizren, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ndërsa gjatë bastisjeve është sekuestruar një sasi totale prej 451.91 gram kokainë, para të gatshme dhe pajisje tjera që shërbejnë për ndarjen dhe peshimin e lëndëve.




