Dëshmitari i 62-të i Prokurorisë, i cili dëshmoi me masa mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka thënë në Hagë se i vjen keq që të katër të akuzuarit ndodhen aty dhe se ai nuk ka asgjë me ata.
Ai ka thënë se e di se ka qenë Jakup Krasniqi zëdhënës i UÇK-së, por që nuk e ka takuar asnjëherë gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, gjatë seancës në të cilën dëshmoi ky dëshmitar, u tha se ai u arrestua dhe u keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së për një periudhë trejavore, e që si pasojë e keqtrajtimit pati edhe lëndime serioze.
Dhomën ku është mbajtur i ndaluar, ky dëshmitar e përshkruan si një dhomë e shtruar me beton, me dry dhe kishte persona që i bënin roje, ndërsa ka pohuar se dhoma kishte dritare ku mund të shihej roja i armatosur.
Gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar, dëshmitari mohoi së është dërguar përpara ndonjë gjykatësi ose është njoftuar për akuzat që rëndojnë mbi të por kishte thënë se një person- emri i të cilit është i redaktuar, ia kërkoi Shtabit të Përgjithshëm lirimin e tij.
Ndërsa, sipas asaj dëshmie që është riklasifikuar si publike, dëshmitari ka pohuar se edhe vetë ka qenë pjesë e UÇK-së për më shumë se një vit dhe se iu bashkua sërish kësaj organizate kur u lirua.
Në vendin e dytë kur u dërgua, dëshmitari tha se ka qëndruar me ushtarë dhe u trajtua ngjashëm si ushtarët e tjerë ndërsa ka mohuar se është mbajtur me të burgosurit dhe është përgjigjur pozitivisht kur u pyet nëse ka pasur liri të lëvizjes.
Madje, ky dëshmitar ka mohuar se është marrë në pyetje si i dyshuar për bashkëpunim me armikun gjatë qëndrimit në këtë vendin e dytë, ndërkaq për dikë, ai kishte thënë se nuk i respektonte urdhrat dhe se nuk u përgjigjte as në radio-lidhje.
Në fund të dëshmisë së tij, ky dëshmitar kishte thënë “Faleminderit prej juve shumë. Dhe çlirimtarëve ju uroj lirim ma të shpejtë”.




