Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se tashmë janë alokuar 2.7 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime për pagesën e operatorëve të transportit publik në Prishtinë, sipas vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për të hyrat vetanake.
Ai shpjegon se ky proces është proceduar veçmas nga pjesa tjetër e projekteve kapitale në vlerë prej 25.9 milionë eurosh, pasi kapitalet e tjera kërkojnë më shumë kohë për t’u finalizuar dhe theksoi se verifikimi i ligjshmërisë së vendimit u krye në afat rekord nga Ministria e Administratës Publike dhe Ligjit dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, duke përmbushur angazhimin e bërë ndaj sindikatave të transportuesve publikë.
Murati u përgjigj edhe ndaj deklaratave të Komunës së Prishtinës, të cilat ai i cilësoi “dezinformuese”, duke theksuar se procedurat e alokimit nuk mund të tejkalohen, dhe se Komuna ka qenë e informuar gjatë gjithë procesit.




