Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar sërish Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, me dy vota për, dy kundër dhe shtatë absentime.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta nga aktorët ndërkombëtarë.Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se veprimet e tilla “kërcënojnë ta shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e ngushtë”.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka cilësuar vendimin si një largim nga standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe cenim të së drejtës për pjesëmarrje politike.
Bashkimi Evropian në Kosovë gjithashtu shpreh keqardhje dhe thekson se vendimi reflekton politizim të procesit zgjedhor nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera, duke shkelur parimet e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës.
Edhe ambasada e Italisë në Prishtinë ka shprehur keqardhje lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 28 dhjetorit.




