Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, pas zhvillimeve të fundit, ka reaguar ashpër ndaj Vetëvendosjes, duke thënë se Kosova ia pa sherrin kësaj partie.
Ai ka renditur disa arsye, të cilat i ka lidhur me fitoret e VV-së në zgjedhje nacionale duke thënë se në vitin 2021, ku garuan në zgjedhje me moton ‘Krejt dhe Drejt’ dhe me politika të mbrapshta pas sigurimit të pushtetit, i sollën vendit sanksione nga Bashkimi Evropian.
Ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sipas Hamitit, nuk arritën ta marrin prapë pushtetin dhe si rezultat, e bllokuan vendin, e shkelën Kushtetutën dhe i uzurpuan zyrat e Qeverisë.
Ai u shpreh se në zgjedhjet që janë në prag, këto të 28 dhjetorit, qytetarët e kanë mundësinë që ta nxjerrin këtë parti në opozitë dhe rikujtoi se “VV-ja e Albin Kurtit nuk e ka festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Më herët, më 26 janar 2006, VV-ja e ka quajtur Presidentin Ibrahim Rugova ‘kolaboracionist’, ndërsa Hashim Thaçin ‘tradhtar’.”




