Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ. Ajo ka cilësuar këtë reagim të çuditshëm dhe të padrejtë.
“Avokati i Popullit duhet ta përfaqësojë më drejt emrin që mban. Kësaj radhe ky institucion paska reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe. Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka kritikuar se si është e mundur që një subjekt si Lista Serbe, “që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë”, të mbrohet me kaq lehtësi nga Avokati i Popullit.
Haxhiu ka shtuar se Avokati i Popullit nuk ka reaguar për vështirësitë që, sipas saj, po u shkaktohen votuesve të mërgatës.





