Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë vendim që t’i dekorojë me Medaljen Presidenciale të Meritave një grup aktivistësh të cilët, me angazhimin e tyre të palodhshëm, kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për fuqizimin, mbrojtjen e të drejtave dhe përfshirjen dinjitoze të kësaj kategorie në shoqërinë tonë.
Sipas njoftimit të Presidencës, të dekoruarit e sivjetshëm janë: Halit Ferizi (post mortem), Agim Vatovci (post mortem), Sabrije Zeqa (post mortem), Merita Voca (post mortem), Mexhid Foniqi (post mortem) dhe Hiljminijeta Apuk.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se këta aktivistë, me avokimin e tyre publik, punën në terren dhe mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave të personave me nevoja të veçanta, kanë ndikuar në rritjen e vetëdijes shoqërore, avancimin e politikave publike dhe gjithpërfshirjen.
Medaljet e akorduara do të dorëzohen në ceremoninë e veçantë të ndarjes së dekoratave që do të mbahet në fund të muajit dhjetor 2025.




