Sot u mbajt tryeza e diskutimit “E drejta e vajzave dhe grave në trashëgimi dhe pronë”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Në fjalën e tij hyrëse, Ushtruesi i Detyrës i Ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi se barazia në pronë është baza e pavarësisë, e sigurisë ekonomike dhe e fuqisë për të marrë vendime. Ai ritheksoi se prona në duart e grave nuk e dobëson familjen, por e forcon atë dhe nuk e copëton shoqërinë, por e bashkon atë mbi drejtësinë.
Duke folur për aspektin ligjor, ministri Sallahu përmendi se shteti ynë e ka përcaktuar qartë përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës të drejtën e barazisë në pronë dhe trashëgimisë, teksa veçoi hartimin e Kodit Civil përmes së cilit rregullohet në përpikmëri çështja e kësaj të drejte.





