Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj, dhe i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me pretendime për krime lufte të vitit 1999.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson sërish se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar z. Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë.
Z. Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit.
Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim. Familjarët e tij kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor.




