Gjykata Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka organizuar sot tryezën rajonale për Gjakovën dhe Pejën, me temën “Konfiskimi i aseteve – nga sekuestrimi i përkohshëm deri te vendimi gjyqësor i formës së prerë”.
Tryeza u udhëhoq nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Gjakovë, znj. Fëllanza Knushaj, ndërsa panelistë ishin: Petrit Nreca – gjyqtar në Gjykatën Themelore të Pejës; Ersan Qavolli – prokuror në Prokurorinë Themelore të Pejës; Enis Gashi – kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Gjakovës; dhe Yulia Safronova – zyrtare e lartë ligjore nga Zyra Rajonale e OSBE-së.
Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësues nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK), Policia e Kosovës në Gjakovë dhe Pejë, si dhe Oda e Avokatëve në Gjakovë.
Diskutimet u përqendruan në forcimin e mekanizmave institucionalë për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë dhe u theksua se trajtimi i rasteve të këtij lloji dhe identifikimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme kërkojnë qasje të koordinuar, reagim të shpejtë dhe zgjidhje afatgjata.
Ky aktivitet synon rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, unifikimin e praktikave profesionale dhe forcimin e mekanizmave për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë, me qëllim që sistemi i drejtësisë të veprojë në mënyrë sa më efektive dhe të qëndrueshme ndaj këtij fenomeni.




