Delegacioni i Bankës Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka realizuar një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Estonisë (Eesti Pank) dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë (Finantsinspektsioon).
Delegacioni i BQK-së, i udhëhequr nga Guvernatori z. Ahmet Ismaili së bashku me anëtarë të ekipit menaxhues, u mirëprit në Bankën Qendrore të Estonisë nga Guvernatori z. Madis Müller dhe Zëvendësguvernatori z. Ülo Kaasik.
Guvernatori Ismaili bëri një prezantim gjithëpërfshirës mbi zhvillimet makroekonomike në Kosovës dhe Ballkanin Perëndimor, duke theksuar zhvillimet e fundit në sektorin financiar.
Pas diskutimeve të nivelit të lartë, ekipet teknike nga të dy institucionet vazhduan me sesione të detajuara mbi analizën e skenarëve dhe projeksionet makroekonomike, kornizat e mbikëqyrjes makroprudenciale, qasjet për monitorimin e rrezikut dhe përdorimin e instrumenteve mbikëqyrëse.
Në kuadër të vizitës, delegacioni i BQK-së u takua me edhe z. Andres Kurgpõld, anëtar i Bordit Menaxhues të Autoritetit të Mbikëqyrës Financiare. Takimi ofroi mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi strukturën dhe performancën e tregut financiar, zhvillimet e fundit mbikëqyrëse dhe sfidat e reja.
Në nivel teknik, ekspertët e BQK-së dhe ata të Autoritetit të Mbikëqyrës Financiare zhvilluan diskutime mbi sektorin financiar dhe kornizat e tij analitike, qasjet ndaj sjelljes në treg dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen më të lartë për Bankën e Estonisë për organizimin e takimeve dhe mikpritjen e ngrohtë gjatë gjithë vizitës. Njëkohësisht falënderon Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë për takimet e vlefshme dhe të dobishme gjatë diskutimeve.





