Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së e ka nominuar kryetarin Ramush Haradinaj për kryeministër dhe bartës të listës për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit.
Ky Këshill e ka miratuar edhe listën prej 110 kandidatëve për deputetë.
Vetë Haradinaj njoftoi se slogani i AAK-së në këto zgjedhje do të jetë “Krah Teje”.
Ndër të tjera, kreu i AAK-së tha se partia ka miratuar edhe programin zgjedhor, i cili tha se është i ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik.
Ai tha se Aleanca parasheh rritje ekonomike vjetore prej 7 për qind, rritje të GDP-së prej 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit, rritje të buxhetit prej 3.3 miliardë eurosh, sa ka qenë në vitin 2025, në 4 miliardë për vitin 2026, për të mbërritur në 6.1 miliardë në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar.
Kjo politikë buxhetore, sipas tij, është garanci e stabilitetit financiar, e rritjes së pensioneve dhe pagave, të cilat që në vitin 2026 do të shënojnë rritje prej 31 për qind, shprehur në vlera nominale: pagë mesatare prej 1,100 eurosh dhe pension prej 500 eurosh, varësisht nga kategoritë.
Ndër të tjera, ai tha se kategoria e investimeve kapitale, si shtyllë e shtimit ekonomik, do të rritet mesatarisht prej 61 për qind në vitin e parë, për të mbërritur në 240 për qind në vitin 2029.





