Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vizituar sot punimet që po zhvillohen për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale në Sharr.
Ky projekt po realizohet në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Sharrit. Sipas marrëveshjes, Komuna ka hartuar projektin teknik, ndërsa financimi në vlerë prej 989,952 euro sigurohet nga qeveria në detyrë e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Objekti i ri do të përfshijë bodrum, përdhese dhe dy kate, me një sipërfaqe totale prej rreth 3,000 metrash katrorë. Punimet kanë nisur në fund të muajit tetor dhe pritet të përfundojnë brenda dy viteve.





