Qeveria në detyrë para pak ditësh njoftoi për rritjen e numrit të ndërmarrjeve të reja të regjistruara, duke e cilësuar si rritje ekonomike, por kjo gjë po kritikohet nga ekspertët e ekonomisë.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, trendi i rritjes së regjistrimeve nuk përputhet me qarkullimin dhe se shumë biznese po regjistrohen vetëm për ti ikur kostos së lartë të energjisë dhe jo si rezultat i zgjerimit ekonomik.
Eksperti financiar Kushtrim Ajvazi tha se statistikat nominale të regjistrimit nuk japin një pasqyrë të saktë të vlerës së shtuar në ekonomi sepse përveç numrit të regjistruar, duhet të analizohet qarkullimi real i bizneseve, që tregon ndikimin e tyre ekonomik.
Safeti Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike, tha se çështja e numrit të bizneseve të regjistruara që po paraqitet nga ekzkutivi është manipulim gjatë fushatës zgjedhore dhe mund të japë një pasqyrë të gabuar të gjendjes reale ekonomike ndërsa përmendi tri dukuri që ndikojnë në numrin e bizneseve të regjistruara: krijimi i kompanive të reja nga bizneset ekzistuese për lehtësim, regjistrimi i kompanive për të shmangur vendimin e ZRRE-së mbi çmimet e energjisë dhe hyrja e bizneseve të reja në tregti dhe IT.




