Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ekonomisë për “keqpërdorime milionëshe” në sektorin e energjisë, duke kërkuar transparencë të plotë dhe publikimin e kontratave të importit të energjisë.
Sipas LDK-së, Qeveria po tenton të mbulojë “gjetjet e rënda” që po dalin në publik, ndërsa ministrja Artane Rizvanolli dhe zyrtarët e tjerë nuk kanë dhënë, siç u tha, asnjë fakt për të kundërshtuar akuzat.
Duke iu referuar deklarimeve të ministres një ditë më parë, Bajrami tha se janë krijuar dyshime serioze mbi importet e energjisë dhe rolin dominues të kompanisë EFT në tregun rajonal.
Ndërkohë, inxhinierja e LDK-së, Janina Ymeri, publikoi një sërë të dhënash teknike që, sipas saj, tregojnë për mospërputhje mes deklarimeve të ministres dhe realitetit në tregun rajonal të energjisë.
Ajo shtoi se të dhënat zyrtare nga vendet e përmendura si burime të importit nuk tregojnë eksport drejt Kosovës.
Ymeri theksoi se edhe dokumentet qeveritare e mohojnë versionin e ministers.




