Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në International Human Rights Commission (IHRC), Elvana Shala, do të mbajë sot një diskutim të nivelit të lartë diplomatik, i shoqëruar me darkën e bamirësisë “Urat e Shpresës”, në Swiss Diamond Hotel Prishtina, duke nisur nga ora 17:00.
Ngjarja ka në fokus temën “Diplomacia për të Drejtat e Njeriut”, me theks të veçantë tek kategoritë e margjinalizuara, përfshirë gratë e dhunuara në familje, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet jo shumicë, personat LGBTI+ dhe refugjatët.
Gjatë diskutimit pritet të analizohet se çfarë ka bërë diplomacia globale dhe ajo e Kosovës në avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të këtyre grupeve, si dhe sfidat që mbeten ende.
Në këtë forum diplomatik do të marrin pjesë pesë ekspertë ndërkombëtarë nga shtetet e Quint-it, të cilët do të ndajnë praktikat më të mira, përvojat e tyre dhe ndryshimet që kanë sjellë në vendet përkatëse. Përfaqësuesit ndërkombëtarë do të kenë mundësi të zhvillojnë edhe takime me organizatat e të drejtave të njeriut në Kosovë për potenciale bashkëpunimi.
Në panelin mbi perspektivën e Kosovës pritet të diskutojnë përfaqësues të pesë partive kryesore politike: Vetëvendosje, LDK, PDK, AAK dhe Guxo, duke sjellë qëndrimet e tyre mbi rolin e institucioneve në avancimin e të drejtave të njeriut.
Pas debatit do të mbahet darka e bamirësisë “Urat e Shpresës”, ku do të ekspozohen punime artistike të të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, krijime nga persona me aftësi të kufizuara dhe anëtarë të komuniteteve jo shumicë. Të pranishmit do të kenë mundësi t’i blejnë punimet, me të ardhurat që do të shkojnë në mbështetje direkte të këtyre kategorive.
Ngjarja synon të krijojë një platformë të qëndrueshme diplomatike për dialog, të forcojë rolin e diplomacisë publike në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të vendosë në qendër zërat e grupeve të margjinalizuara, duke i bërë pjesë aktive të vendimmarrjes dhe politikë-bërjes.




