Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres, kanë nis “Javën Kundër Korrupsionit 2025” me grevë njëditore, si formë proteste ndaj kapjes së institucioneve dhe mungesës së reformave.
Organizatat njoftuan se vendimi për grevë vjen pas paralajmërimeve të vazhdueshme për stagnimin në sundimin e ligjit, të cilat, sipas tyre, janë injoruar nga institucionet.
Gjatë konferencës, Arrita Rezniqi, Hulumtuese e Lartë Ligjore në IKD, tha se greva është një mesazh i qartë kundër politikave dhe praktikave që, sipas saj, po e paralizojnë funksionimin e shtetit ndërsa theksoi se mungesa e reformës në drejtësi dhe mosfillimi i vettingut po e minojnë funksionimin e sistemit.




