Veprimtari dhe lobisti shqiptar në SHBA, Faton Bislimi ka bërë të ditur se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës janë zyrtarizuar përmes përfshirjes së tyre në draft-ligjin NDAA 2026 (Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare), një nga ligjet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare në SHBA.
Ai thotë se drafti i NDAA-së, i cili ka kaluar në Senat dhe pritet të votohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve para se të dërgohet për dekretim në Zyrën Ovale, përmban një seksion të posaçëm që përcakton qartë politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Sipas Bislimit, NDAA 2026 përcakton se: “SHBA-të përkrahin Kosovën dhe vendet tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE, SHBA-të përkrahin dialogun Kosovë–Serbi të bazuar në njohje reciproke dhe SHBA-të nuk përkrahin ndryshim kufijsh, ndarje apo shkëmbim territoresh sipas vijave etnike”.
Bislimi e ka cilësuar këtë zhvillim si shumë të rëndësishëm për vendin teksa theksoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet i palëkundur.




