Anëtarët e Mekanizmave Koordinues Lokal për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore janë bërë bashkë këtë të hënë , aty ku u prezantuan dhe diskutuan Rregullorja për Mekanizma Koordinues Lokal për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, si dhe Udhëzimi Administrativ për përcaktimin e procedurës për ofrimin e shërbimeve nga fondi emergjent për nevojat e viktimave gjatë qëndrimit të tyre në stacionet policore.
Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu e ka quajtur këtë si moment të rëndësishëm, ku sipas tij, shteti, shoqëria dhe komunitetet bashkëpunojnë për të ndaluar dhunën dhe për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu.
Ai shtoi se, sipas rregullores, detyrat dhe përgjegjësitë e mekanizmit koordinues lokal përfshijnë identifikimin e nevojave për mbështetje të viktimave, koordinimin e politikave dhe shërbimeve, draftimin e planeve të veprimit, mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, dhe ngritjen e ndërgjegjësimit për tolerancë zero ndaj dhunës.
Sallahu tha se ndryshimi i normave shoqërore trajtohen më së miri kur ka një sinkronizim midis ligjit, praktikës, dhe kulturës shoqërore.




