Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se projekti i rëndësishëm “FIFA Arena”, një donacion i çmuar nga FIFA me synimin për të masovizuar futbollin dhe për të krijuar më shumë mundësi për fëmijët, ka nisur zbatimin në Komunën e Prishtinës.
Dy shkollat e para të përzgjedhura për të përfituar nga ky projekt janë “Gjergj Fishta” dhe “Hasan Prishtina” në kryeqytet.
Fushat e reja moderne do t’i shërbejnë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit përreth, duke krijuar hapësira të reja cilësore për lojë, aktivitet fizik dhe zhvillim të talentit të ri.
Sipas Ademit, fushat janë donacion i FIFA-s, ndërsa instalimi i tyre po realizohet në bashkëpunim të plotë me Komunën e Prishtinës. E gjithë procedura e furnizimit dhe montimit po menaxhohet drejtpërdrejt nga FIFA. Njëra prej fushave tashmë është përfunduar, ndërsa tjetra pritet të jetë gati brenda kësaj jave.




