– Ekipi i Bankës Botërore, në përbërje të Klaus Decker, bashkë-udhëheqës i Ekipit dhe Specialist i Lartë i Sektorit Publik dhe Ermal Vila, specialist i Qeverisjes, kanë prezantuar sot para kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, gjetjet paraprake të anketës në lidhje me performancën, efikasitetin dhe perceptimet e përdoruesve të gjykatave.
Objektivi i këtij projekti është rritja e njohurive dhe të dhënave mbi performancën gjyqësore në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE.
Kreu i Supremes, vlerësoi gjetjet e anketës, të cilat nxjerrin në pah rritjen e përceptimit pozitiv për gjyqësorin, përkatësisht, për efikasitetin, cilësinë; qasshmërinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Kryetari Rexhepi theksoi rëndësinë e gjetjeve nga kjo anketë, të cilat do të përdoren për të identifikuar përparësitë dhe mangësitë në funksionimin e gjyqësorit dhe adresimin e tyre.
Anketa e ngjashme është realizuar edhe në vitin 2020, dhe gjetjet e tanishme janë krahasuar me ato paraprake.
Anketa e realizuar në kuadër të projektit “Mbështetja e Hartimit të Politikave të Bazuara në Dëshmi mbi Performancën e Sistemit të Drejtësisë në Ballkanin Perëndimor”, pritet të publikohet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.




