Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Sipas presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, m ç`rast Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.
Ajo theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë.
Sipas saj, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave.
Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.




